Parlamenti studentor i UPZ-së: Thirrje që t’i mbrojmë vlerat e luftës

Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të shumë zhvillimeve shqetësuese në vendin tonë, të cilat për qëllim kryesor kanë pasur dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe në veçanti vlerave të luftës.

Filloi me një fotografi në Kuvendin e Kosovës, një gafë e cila ngriti debat aq të madh saqë për habinë e të gjithëve shumë individë me dashje e pa dashje u rreshtuan në mbrojtje të gjenocidit serb. E tmerrshme ajo që ndodhi, madje u tmerruam aq shumë saqë na vinte neveri që jetojmë në të njëjtin vend me persona të tillë, që arritën deri në pikën sa ta mohojnë edhe gjenocidin e përjetuar nga secili prej nesh. Provat e gjenocidit janë të qarta si drita e diellit dhe ajo seancë e Kuvendit ishte më shumë spektakël mediatik, sepse një gjë që e dinë të gjithë nuk ka nevojë të dëshmohet.

Ju deputetë që me votën tonë jeni sot në ato karrige të buta, jepni kontribut për atë që jeni zgjedhur dhe ju lutem hiqni dorë përfundimisht nga fushata elektorale përmes foltores së kuvendit.

Sikur të mos mjaftonte kjo fatkeqësi, në ditët në vazhdim u kundërshtua edhe ngritja e tribunalit për krime të luftës në Kosovë. Po pra, u kundërshtua nga deputetë shqiptarë, madje me të njejtën gjuhë sikur të mediave serbe, në vend se të tregonim unitet si popull që më në fund të zbardhen krimet makabre të ndodhura në vendin tonë dhe përgjegjësit të viheshin para drejtësisë së shtetit tonë, këtij shteti i cili u ndërtua mbi pasojat e përballimit të këtyre krimeve.

E krejt në fund edhe skandalet korruptive të fshehura e të vonuara, të inskenuara nga dorë të fshehta që synojnë të na e humbin besimin në drejtësinë e shtetit tonë.

Ne duhet të jemi të bashkuar të gjithë në atë që të korruptuarit duhet ta marrin dënimin e merituar, kushdo qofshin ata, politikanë apo njerëz të thjeshtë. Ne bëjmë thirrje që të luftohet korrupsioni me çdo kusht, në mënyrë institucionale dhe individuale, sepse këtë gjë ja kemi borgj të kaluarës sonë të dhimbshme.

Duke u frymëzuar nga lëvizjet studentore ndër vite, morëm guximin që si studentë të ju rikujtojmë disa gjëra esenciale, por edhe të ju bëjmë me dije se nuk mund të qëndrojmë të heshtur para hipokrizisë, sidomos kur bëhet fjalë për të kaluarën e shenjtë të këtij vendi. Për të kaluarën, të cilën do të duhej ta mbronte çdo shqiptarë sepse shumë nga të dashurit tonë e kanë paguar me jetët e tyre.

Bëjmë thirrje që t’i mbrojmë vlerat e luftës dhe të mos bëhemi njëzëri me agresorin që na ka shkaktuar dëme për më shumë se një shekull.

Ne si studentë do t’i përkrahim iniciativat e kujtdo qe kanë për qëllim zbardhjen e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë dhe do të ndihmojmë me çfarëdo lloj aktiviteti që kjo e vërtetë të zbardhet njëherë e përgjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *