Në Prizren u zbulua pllaka përkujtimore për vëllezërit Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zbuluar pllakën përkujtimore për vëllezërit Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, në Prizren.

Aty, Thaçi ka thënë se me këtë pllakë, Prizreni, shteti i Kosovës, dhe krejt kombi shqiptar po madhështohet. Presidenti i vendit ka thënë se është optimist që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë presion në Beograd që kryesit e masakrave të marrin dënimin e merituar.

Pas zbulimit të pllakës, presidenti Thaçi tha se vëllezërit Bytyqi janë heronj të kombit që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, janë emblema e çlirimit të Republikës së Kosovës.

“E dimë që drejtësia ende nuk ka shkuar në vendin e duhur për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, dhe shumë raste të tjera, masakra deri në përmasa të gjenocidit nga Serbia. Por jam optimist që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë presionin e duhur në Beograd në mënyrë që vrasësit e vëllezërve Bytyqi dhe kryesit e shumë masakrave tjera, që janë edhe në pushtet ne Serbi, të marrin dënimin e merituar”, tha ai.

Thaçi tha se ndjehet i nderuar si president i vendit që po e bënë zbulimin e kësaj pllake përkujtimore, bashkë me nënën e vëllezërve Bytyqi, Bahrie Bytyqi, e cila bëri përpjekje që shkurt t’i thotë disa fjalë për djemtë e saj të rënë.

“Fëmijët e mi nuk janë vetëm fëmijët tonë, janë krejt kush është shqiptar, kah janë e kah nuk janë, me ata janë. Ata kanë ardh, jo vetëm për mua, por të gjithë shqiptarëve m u ndihmu”, tha ajo.

Pllaka përkujtimore për vëllezërit Bytyqi tashmë ndodhet në Ortakol të Prizrenit, afër shkollës “Abdyl Frashëri”.

Vëllezërit Bytyqi kujtohen si heronjtë shqiptaro-amerikan që lanë jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe erdhën iu bashkuan luftës së UÇK-së, përmes Batalionit Atlantiku dhe betejës së Pashtrikut./G.Kadrij

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *