NË NDERIM TË PËRVJETORIT TË 20-të TË OPERACIONIT ‘’SHIGJETA’’

Isha në dilemë! Nëse duhej të shkruaja për njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit tim në fundshekullin XX-të. Siç dukej kapërcimi i këtij shekulli dhe lindja e shekullit XXI-i për popullin tim shqiptar, përbënte një rrezik kataklizmik ose thënë më troq, rrezikohej ekzistenca e shqiptarëve të Kosovës. Fjala është për vitin 1999, vitin e kthesës së madhe ose vitin ‘’Zero’’, për ne!

Shkruan: Arben Rashkaj

Të hedhësh në letër kujtimet e asaj ngjarje sa të dhimbshme po aq edhe të lavdishme, sa të trisht po aq heroike, sa të tmerrshme po aq edhe të bukur nuk është aspak e lehtë për një si unë, si njëri nga shqiptarët e ri dhe të njomë i përfshirë drejtë për së drejti brenda asaj vorbulle epike, dhe nga e cila pritej të përcaktohej fati i Kosovës dhe popullit të saj.

Shqiptarët e Kosovës ishin përball dy situatave aspak të lehta, përball dy rrugë zgjidhjesh, rrugë të tretë nuk kishte.

1.Të pranonin zhdukjen si një popull i cili ka jetuar në këtë tokë që nga kohët para historike dhe ti jepte fund përfundimisht ekzistencës së vet në këtë gjeografi të vogël dhe madhështore, për nga shumësia e ngjarjeve historike, që shumë prej tyre kanë përcaktuar rrjedhat e më vonshme të historisë së popullit Shqiptar dhe popujve të tjerë të Ballkanit.

2. Të përpiqeshin për të rezistuar duke u përballur me këtë kanosje me të gjitha mjetet që kishin, që nga arma e deri tek vetëflijimi, për ta vulosur përfundimisht fatin e vet dhe për të vazhduar ekzistimin si komb në truallin e vet, por jo më si robër dhe të sunduar, por si zotër të tokës së vet.

Dhe zgjodhi këtë të dytë, siç e dimë të gjithë. Siç e thash më lartë zgjedhje të tretë nuk kishte.

Të ju them të drejtën të, sot kur po shkruaj dhe po afrohen datat e shënimit të përvjetorit të 20-të, ndihem çuditshëm si dhe krenar që isha pjesë e saj ngjarje, ndihem me fat siç jam i bindur se ndihen si unë të gjithë ata që morën pjesë në njërën nga ndërmarrjet ushtarake më të suksesshme të organizuar nga luftëtarët e lirisë që ishin bërë bashkë nën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, operacionin ushtarak të luftës, Operacioni ‘’SHIGJETA’’.

Ky Operacion, i përmasave gati të pangjashme për nga organizimi, pati jehonë në të gjithë hapësirat e Ballkanit por edhe të gjithë botës, sepse nga ai varej fundi i luftës së përgjakshme dhe çlirimi i Kosovës nga kriminelët e Serbisë. Edhe ashtu ndodhi, kjo ndërmarrje ushtarake rezultoi e suksesshme dhe vulosi fundin e luftës dhe fitoren gati të pa imagjinueshme të shqiptarëve të Kosovës, të cilët këtë radhe përkrah kishin NATO-n, aleancën ushtarake më të madhe të vendeve të qytetërimit perëndimor të udhëhequra nga SHBA-të.

Lufta bëhej e ashpër, granatimet nga ana e armikut të të gjitha llojeve ishin intensive deri tek predhat me helme mbi njësitë e UÇK-së, gjithashtu njesitë e UÇK-së që ishin hedhur në sulm me të gjithë arsenalin luftarak që mund të kishin në dispozicion, po përparonim, por me vështirësi duke hasur në rezistencë të fortë të armikut i cili mbështetej nga mjete të sofistikuara artilerike që nga Prizreni, Dragashi, Zhuri, Koretniku etj. Pamja i ngjante pamjeve apokaliptike, e gjithë bjeshka e Pastrikut dridhej e lëkundej nga shpërthime të fuqishme dhe sikur po digjej gjithçka. Dhe në mes të asaj pamje luftonin djemtë dhe vajzat e UÇK-së. Kishe përshtypjen se janë vrarë të gjithë, por fatmirësisht formacionet tona vazhdonin mësymjen duke mbajtur moralin lartë dhe duke përparuar në mënyrë frontale për ta thyer kufirin. Luftimet bëheshin në afërsi, largësia mes pozicioneve tona dhe atyre të armikut mund të matej me pak metra, luftohej për çdo pëllëmbë toke. E kam të vështirë të gjejë fjalë adekuate për ta përshkruar atë ngjarje të fund majit dhe fillim qershori të vitin 1999. Por di të them se temperaturat ishin rritur aq shumë sa fytyrat na digjnin nga irritimi që na shkaktonte tymi dhe flaka e barotit të armeve e predhave. Më të vështirë e kemi pasur kur binin shokët në beteja dhe plagoseshin. Vetëm ata që e kanë përjetuar drejtë për drejtë mund ta besojnë atë ndjenjë hidhërimi therëse në zemër dhe shpirt. Dhe pavarësisht të gjitha vështirësive mbanim tempon e luftimeve dhe hidhërimi kthehej në moral pse jo edhe në hakmarrje kundrejt armikut.

U përpoqa që me pak fjalë ta përshkruaj fotografinë a kësaj ngjarje, duke u kujdesur për të mos bërë glorifikime të çfarë do llojshme as personale, as për luftëtar të caktuar dhe as për njësi pjesëmarrëse në këtë operacion edhe pse duhet nga pak glorifikime sepse ne e fituam lirinë, dhe konsideroj që u arrit qëllimi për çka edhe ishte hartuar ky operacion luftarak nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më vjen keq shumë dhe ndihem i lënduar si pjesëmarrës i këtyre betejave, që sot lexoj shkrime për operacionin, tendencioze, për interesa të ulta të dikujt në dëm të dikujt tjetër, me qëllim marrjen e meritave të këtij suksesi luftarak në emër të së ‘’vërtetës’’, duke shtrembëruar kështu të vërtetën reale dhe duke i dëmtuar vlerat e arritura me gjak mund e sakrifica të pa numërta dhe heroizma të pangjashëm të luftëtarëve të lirisë. Konsideroj që është mëkat kur merr guximin të shkruar për një ngjarje historike të përmasave të mëdha dhe vendimtare për luftën çlirimtare, duke lënduar tërthorazi apo drejtë për së drejti pjesëmarrësit e saj.

Por a duhet të shkruhet?!… Patjetër që po, dhe atë duke u përpjekur me përkushtim për ta vendosur në piedestalin e sukseseve të UÇK-së. Edhe nëse i tërë Operacioni ‘’Shigjeta’’ të dështonte, duhet të shkruhet për të si vlerë e përpjekjes së organizuar të UÇK-së në funksion të arritjes së lirisë dhe çlirimit përfundimtar të atdheut, por asnjëherë nuk duhet lejuar të shkruhet në emër të së vërtetës historike, duke e shtrembëruar e duke manipuluar. Sidomos duke mos i pyetur të gjithë pjesëmarrësit, që nga eprori më i lartë i UÇK-së e deri tek ushtari i fundit, sepse secili ka historinë e vet të vërtetë.

Krejt në fund, uroi që shënimi 20-të vjetorit, këtij viti jubilar, aq më tepër që po bëhet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, do të jetë ogur i mirë për të ardhmen në funksion të shkrimit të saktë të historisë së Operacionit ‘’Shigjeta’’ dhe dhënien e merituar të vendit që i takon në historinë tonë si komb. Vetëm kështu do të ndiheshin mirë dhe krenar të gjithë ata që ishin pjesë e tij dhe dolën fitimtar. Do të ndihen krenar edhe gjeneratat që vijnë të cilët do të marrin si shembullin e paraardhësve të tyre se si duhet mbrojtur atdheu dhe me sa shumë sakrifica është arritur liria që e gëzojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *