Në Kosovë më shumë të shëruar se sa raste aktive me Covid 19

Tash e pesë muaj Kosova është duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19. E, që nga paraqitja e rasteve të para (13 mars) e deri tani me virus janë infektuar 6 mijë e 45 qytetarë, 3 mijë e 226 prej të infektuarve janë shëruar ndërsa janë regjistruar edhe 144 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.

Aktualisht raste aktive me COVID-19 janë 2 mijë e 675.

Më së shumti raste me COVID-19 janë në Prishtinë, me1 mijë e 913 të infektuar. Pas Prishtinës, radhitet komuna e Prizrenit me 468 qytetarë të infektuar, vendin e tretë e zë Vushtrria me 447 raste.

Ndërkaq, në komunën e Ferizajt deri tani janë konfirmuar 434 raste, në komunën e Gjilanit 336 raste. Në komunën e Mitrovicës 284, në komunën e Fushë Kosovës 273 raste, në komunën e Pejës 255 raste.

Komunat tjera kanë numër më të vogël të personave të infektuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Numri më i madh i personave të infektuar me virus në Kosovë u regjistrua më 12 korrik, ku u konfirmuan 216 raste të reja. Ndërkaq, nga 13 korriku Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat ndaj COVID-19, në komunat ku ka numër më të madh të personave të infektuar është kufizuar lëvizja, ndërsa bartja e maskave është bërë obligative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *