Ndërprerja e repelimit të kafshëve rrezikon banorët e Malishevës, reagon Shtabi Komunal

Pas pranimit të njoftimit për ndalimin e aktivitetit të repelimit të kafshëve Komuna e Malishevës përmes Shtabit lokal për menaxhimin e situatës në lidhje me ethet hemorragjike Krime Kongo, ka reaguar kundër këtij vendimi, dhe i ka bërë të ditura rreziqet që mund t’i pësojnë qytetarët e Malishevës nga kjo ndërprerje.

Shtabi komunal për menaxhimin e situatës në lidhje me ethet hemorragjike Krime Kongo, nga takimi i mbajtur sot, ka shprehur shqetësimin për ndalimin e aktivitetit të repelimit të kafshëve, si masa më e efektshme për luftimin dhe parandalimin e virusit vdekjeprurës të EHKK, që tek njerëzit përcillet përmes rriqrave.

Komuna e Malishevës e ka pranuar një njoftim nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, për shtyrjen e kryerjes së aktivitetit për “shërbimet e repelimit të kafshëve, kundër sëmundjes së etheve hemorragjike (EHKK) në komunat e rrezikuara”.

Pas këtij njoftimi, Shtabi komunal për menaxhimin e situatës nga sëmundja e EHKK, ka shprehur shqetësimin e saj në raport me nivelin qendror, për shkak të ndërprerjes së repelimit, sepse ndërprerja e ciklit tek rriqrat, ka rëndësi të madhe në parandalimin e përhapjes së virusit të EHKK dhe gjithashtu parandalon bartjen e rriqrave nga fusha në shtëpi, përmes kafshëve shtëpiake.

Shqetësimi ynë është edhe më i madh, pasi vitin e kaluar në tërësi ka dështuar repelimi i kafshëve, që është përgjegjësi e nivelit qendror, ndërsa këtë vit, edhe pse ka filluar me kohë dhe ka qenë duke u realizuar, tani është ndërprerë.

Shtabi për menaxhimin e situatës në lidhje me EHKK rikujton se territori i Komunës së Malishevës, konsiderohet si vatra e kësaj sëmundje. Nga paslufta e deri më tani nga territori i kësaj komune, si pasojë e këtyre etheve, kanë vdekur 18 persona, ndërsa janë infektuar dhjetëra të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *