MOS E HUMBNI KONTROLLIN

Të gjithë nxehemi nganjëherë. Apo siç ka thënë plaku tashmë i famshëm në një emision duke iu referuar përballjes me arushën “e hupi(m) kontrollin”. Sidomos muajt e fundit kemi pasur aq shumë arsye për diçka të tillë sikur ajo e formimit të një qeverie të shumëpritur, rënies së saj, dhe më pas formimit të një tjetër qeverie brenda një kohës të shkurtër, sa që mllefi i shprehur ashpër nëpër rrjetet sociale më është dukur deri diku i pritshëm, sidomos kur e kemi parasysh se shumicën e kohës së këtyre ndryshimeve politike na është dashur t’i kalojmë të mbyllur në shtëpi shkaku i pandemisë. Mirëpo megjithatë nuk më është dukur e arsyeshme mënyra se si e shprehim atë mllef në rrjetet sociale, konkretisht gjuha dhe niveli komenteve në facebook.

Shkruan: Adil Memaj

Të gjithë e dimë se si kemi ardhur deri tek kjo ashpërsi, eufori kërcënimesh dhe fyerjesh të cilat po më duken se nuk kanë të ndalur, derisa ata atje lartë të “mëdhenjtë” vazhdojnë të kacafyten apo më mirë të them të duken sikur “grinden”, pasi nuk kalon shumë kohë dhe të njëjtit shihen prapë bashkë në fushata, qeverisje, dreka e darka, udhëtime zyrtare, etj. kurse ne “të vegjlit” këtu poshtë vazhdojmë përballemi me sfidat e përditshme në këtë kohë krize për të gjithë dhe për të mos u mjaftuar me kaq gjejmë kohë të bëhemi argat të tyre me komente nga më të çuditshmet. Madje të mos harrojmë se disa militantë të flaktë, aq shumë e humbën kontrollin sa që me statuset e tyre të pa përmbajtura përfunduan në burg, pasi liria e shprehjes e ka një limit të caktuar dhe të sanksionuar dhe kufizuar me ligj.

Sot kur rrjetet sociale janë ndoshta vendi ku e kalojmë shumicën e kohës duam apo nuk duam ne na bie të shohim çdo ditë lajme, tituj, shkrime, video të ndryshme. Disa të realizuara tani, disa më herët, disa të montuara dhe nxjerra nga konteksti për qëllime propagandiste, etj. Të gjitha njëzëri luajnë të njëjtin funksion, atë të nxitjes së urrejtjes tek njëri-tjetri, duke u bërë argat i një partie ose tjetër, ose i ndonjë lideri të caktuar.

Megjithatë, ajo që na bie më së shumti në sy janë komentet e shumë qytetarëve nëpër tituj provokues dhe video portalesh në facebook. Komente që mund të them lirisht se kanë tejkaluar çdo etikë. Komente pa përmbajtje, pa kriter gjuhësor, madje as njerëzor. I gjithë ky mllef nxitet në shumicën e rasteve edhe nga disa emisione televizive me analistë bajat të njëjtë çdo natë tek paguhen për t’jua bërë argatin një partie ose lideri të caktuar. Me analistë që shpesh edhe vet dalin nga kontrolli dhe gjuha e tyre kalon në fyerje, duke u bërë shembull i keq për të gjithë ne dhe nxitës kryesorë të reagimeve fyese.

Qytetari/komentuesi i cili përballet çdo ditë me një realitet të tillë, akumuluar me energji negative, komentimin në një portal nxitës e sheh si vendin ku e shpreh mllefin e tij ditor dhe të momentit dhe për një çast ndihet i çliruar nga një ngarkesë dhe torturë psikike. Në këtë frymë kemi disa lloje komentuesish. Kemi komentues, militantë partiak që deri diku i arsyetohet sepse komentimi, shpërndarje videove dhe titujve nxitës është mënyra se si i servilen dhe ua bëjnë argatin partive politike për të siguruar një vend pune, kurse ata që nuk i kuptoj dhe nuk i arsyetoj janë shumica, ose ata që punojnë tërë ditën në mërgim dhe vendlindje dhe në mbrëmje ia lejojnë vetës të lëshohen në një fjalor banal të ndyrë duke harruar se ato komente shihen nga të gjithë ne, prandaj është e ulët të përdorësh një fjalor të tillë kur je prind, shok, mik i dikujt.

Mos harroni ju lutem se asgjë nuk zgjidhim duke u sjellë kështu. Asnjë lloj ndikimi nuk mund të kemi në ndryshimin e një realitetit të tillë të hidhur duke përdorur gjuhë të tillë dhe nivel të tillë komunikimi, pos që ia bëjmë argatin disa portaleve të shpifura, në shumicën e rasteve me emra fiktivë, prandaj mos bini preh e tyre dhe përmbahuni, ruajeni qetësinë dhe etikën tuaj dhe kur vjen dita e zgjedhjeve mllefin e akumuluar shpreheni në kutin e votimit duke mos i votuar ata që ju kanë zhgënjyer deri më tani. Mllefin ditor hiqeni më mirë duke parë ndonjë film, emision të vlefshëm ose lexuar një libër, kurse portaleve futjani një bllok të gjithave, dhe pastaj kthejuni familjes dhe vetës tuaj, sepse askush në fund të ditës nuk ju pyet se si dhe a po mund tia dilni ta kaloni muajin në këtë situatë të vështirë për të gjithë ne.

28.06.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *