Lidhja e Prizrenit

Ende më kumbojnë fjalët emocionuese të arsimtarëve të devotshëm dhe entuziast kur përmendnin lashtësinë, qytetin historik, Kalanë, Shatërvanin, Hamamin, Lidhjen, Filigranin, kalldërmet, xhamitë, kishat, Lumbardhin etj…

Shkruan:Gazmend Badivuku

Me vite nga ky shehër janë nisë e në të kanë ardhë tregtarët nga viset e ndryshme që tregtuakan nga gjërat elementare, si kripa, sheqeri, kafeja, duhani deri në ato dekorative si lira, sërma, elmazi, inxhitë, dukati, bylyzyk…

Qytetarët Prizrenas shquhen prej kohësh për tiparet si modestinë, fisnikëri, tolerancë, shpirt të butë, gjithmonë si vend i zemërhapurve, për të gjithë njerëzit vullnetmirë. Në furtuna të ndryshme janë shquar si shumë solidar dhe dashamirës. Në sofrat Prizrenase janë servuar ushqime tradicionale me receta të ndryshme të trashëguara nga brezi n’brez, me reçetat allaturka, allafranga…

Bërthama e qytetit të vjetër ende ushtrojnë zejet me kokëfortësi edhe pse sipas disa dyqanxhive përfitimet janë të ulta…

…i ulur në një stol, nën rrezet e diellit shijoja çajin e mesëm, t’përzier me aromën e çebapëve që tymonin nga oxhaku i shtrembër dhe i ndryshkur.

…nga një dyqan dëgjohej kënga turke kurse nga tjetra kënga shqipe, ishin thuajse n’përcjellje të ecjes së vajzave nëpër kalldërmat e vjetra, e ato bënin hapat me marifet, sikur ecnin mbi ndonjë çilim të m’nafsht’.

Aty filloi një bisedë spontane me një dyçanxhi.

Tha: ‘I kâm 70 vjet’, e 60 vjet’ përvojë’, me nostalgji kujtoi historikun e vjetër të tij, fillimet, traditën, punën dhe me krenari rrëfeu se dekada më parë zanatlijtë ma të mirë në ballkan ishin nga ky qytet. Si dëshmi mi numroi zejet me radh’ duke fillu; filigran, furraxhi, jorganxhi, teneçexhi, terzi, sapçi, qeleshxhi…dhe industrinë e zhvilliar deri në kohën e dy dekadave më parë.

Sikur pishman u tregu që po fliste shumë, dhe shtoi s’ka hesap me punu mo, dhe ofshau ehhh…

Gjatë vizitës dhe shetisë pran’ mureve të gëlqerosur shetitësin e kaplon një ndjenjë krenarie për emrat e atdhetarëve që dikur me modesti hyjnore ecën këto ambiente, nga lashtësia, dhe koha e Lidhjes së I dhe II të Prizrenit.

Janë shumë nga emrat që u veçuan dhe bënë historinë si Ymer Prizreni, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi…pasuan emrat Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Aqif Blyta, Musa Shehu, Asllan Boletini, Tahir Zajmi, Luk Simoni, Shefqet Shkupi etj.

Tre detyrat parësore që u shqyrtuan në Prizren ishin, të ndalet coptimi i trojeve etnike, të bashkohen trojet shqiptare dhe të dëshmohet se shqiptarët ishin komb i njejtë pavarsisht dallimeve fetare.

Disa nga emrat që u rritën me ofertën modeste të kohës, me  shijen e simitëve, ramazankave, toplijave, sytlijashit, kadaifit, bozës, dhe prekën majat e suksesit në fusha të ndryshme të shkencës, artit, me t’cilët krenohen jo vetëm Prizrenasit mbeten padyshim Gazmend dhe Yll Zajmi, Bekim dhe Bashkim Fehmiu, Enver dhe Ymer Dukagjini, Sezai dhe Rexhai Surroi, Ramadan dhe Veli Vraniqi, Nexhmedin dhe Fetah Jagxhiu, Gjergj dhe Mark Kaqinari, Simon dhe Kolë Shiroka, Rrahmije, Vahide dhe Zenel Kabashi, Tadej dhe Engjëll Rodiqi, Skender dhe Bardhyl Gjinali, Akil Koci, Leze Qena, Liliana Çavolli, Masar Shporta, Shemsedin Kerejtani, Besnik Krajku, Menan Kiseri, Petrit Çeku…

Prizreni padyshim me meritë mban epitetin Qytetë i lashtë sepse çdo kubëz e rrugicave është dromcë e historisë. Nga koha e kalldërmeve dhe filigranit brez pas brezit për amanetin dhe bashkimin kombëtar janë dëshmi çdo çardak, stol, shalë, sofër, kamish elmazi, shoka shumngjurëshe, koburja, dantelet e nuseve dhe zemra e çdo fryme njeriu.

Në këto rrugica me kalldëma dhe  me mjaft vlera gjithnjë është kontribu në çdo mënyrë në dhënjen e ngjyrave dhe plotësimin e amanetit të përbashkët dhe kompletimit të mozaikut kuq e zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *