Kujtim Gashi: Nuk ka proces të dialogut pa ShBA-në

Në Kosovë ditëve të fundit janë shtuar zërat për përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike të Kosovës në Qeverinë Hoti.

Në lidhje me këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, thotë se PDK-ja që nga 6 tetori është deklaruar se e respekton verdiktin e qytetareve, të Republikës së Kosovës të shprehur në mënyrë demokratike përmes votës.

“Kësisoj edhe kemi vepruar si parti opozitare, duke qenë zëri i vetëm dhe i vërtetë i qytetarëve të vendit tonë edhe në Kuvendin e Kosovës por edhe gjithkah ku janë adresuar problemet dhe interesat e qytetarëve dhe vendit tonë”, potencoi ai.

Më tej, Gashi theksoi se do të vazhdojnë të jenë në opozitë.

“Sigurisht qe ne do të vazhdojmë të jemi në opozitë për Qeverinë e Kosovës, por për qytetarët do të jemi adresa e vetme e cila i artikulon kërkesat e tyre në institucione dhe asnjëherë nuk do të bëjmë politikë kur është në pyetje vendi dhe qytetaret tanë”, shtoi Gashi

Deputeti i PDK-së foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili tha se sa i përket dialogut, PDK-ja ka qëndrime konsistente për këtë temë dhe sipas tij, ky proces duhet të përfundojë sa me parë në mënyrë që vendit dhe qytetarëve tanë t’i hapet perspektiva euro-atlantike.

“Ndërkaq, ne e ritheksojmë se nuk ka proces të dialogut pa ShBA-në, si një aleat i vërtetë i vendit tonë dhe si mbështetësi kryesor i çlirimit, pavarësimit dhe shtetndertimit të Kosovës. Prandaj aty ku është ShBA-ja, aty është edhe PDK-ja”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *