Kryetari Haskuka njoftohet për dyshimet e dëmtimit me vetëdije (mbi 17 mijë euro) të buxhetit komunal (3)

Pas ankesës së personazhit të rrëfimit tonë, dhe vendimit pozitiv të Komisionit për ankesa të Kuvendit Komunal, ai e merr një përgjigje të butë, arrogante dhe shterpe, pa asnjë arsyetim pse ka humbur, kur e ka dhënë çmimin më të lartë, për shfrytëzimin e një lokali pronë e Komunës.

Në Dokumentin që e ka Prizreni Sot, dhe i cili nuk ka as emër as mbiemër, e që nis me i nderuar ndërsa i dërgohet kryetarit të Komunës Mytaher Haskukës dhe Drejtorisë për Administratë, sektorit të Pronës është një përgjigje e thatë, dhe konfirmohet një njoftim që asnjëherë nuk i është dhënë konkurruesve (ose së paku personazhit të rrëfimit tonë që e ka dhënë çmimin më të lartë për metër katror).

Derisa Komisioni për Ankesa i Kuvendit Komunal i jep emrat e anëtarëve, jep arsyet e vendimit, në përgjigjen e Komisionit që i ndau lokalet figuron vetëm emri i kryetarit të Komisionit  Levent Kasëmi, i cili e autorizon Drejtorinë e Administratës sektorin e pronës që ta kthej këtë përgjigje, e në përgjigje nuk ka asnjë argument që do ta kundërshtonte Komisionin për Ankesa.

Në këtë dokument që nis me i nderuar thuhet:

Komisioni për dhënien e Pronës Komunale në Shfrytëzim dhe Këmbim KK Prizren, mbledhjen e vet të mbajtur me dt.20.03.2019, pas shqyrtimit të vërejtjeve  të Komisionit të Ankesave për rishqyrtimin e ankesës së ankeusit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me qira e cila gjendet më Sheshin Shatërvan nr 62 ju njoftojmë se:

Komisioni për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim KK Prizren pas vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna nga ana e Komisionit për Ankesa edhe njëherë ka bërë rishqyrtimin dhe rivlerësimin e ofertave kontestuese dhe të ofertës së parashtruar nga ana e ankuesit. në fjalë , ku  pas rivlerësimit dhe rishqyrtimit  ka vërtetuar se Komisioni për dhënien e Pronës Komunale në shfrytëzim dhe këmbim ka punuar sipas kritereve dhe kushteve të parapara me tenderin publik për Dhënien  e Pronës Komunale-lokaleve me qira e mbajtur me datën 26.12.2018, me ç’rast pas  rishqyrtimit ka vërtetuar Listën Përfundimtare-Njoftimin e këtij komisionit të datës 17.10.2019, që është njoftim i drejtë dhe i bazuar në ligj.

Andaj, ky komision mbetet pas vlerësimit të shpalljes së fituesve të tenderit me anë të njoftimit të dt: 17.01.2019, ku me këtë kërkojmë që të lajmërohen ankuesit për vendimin, kurse fituesit e tenderit të lokaleve pronë komunale të lajmërohen dhe të nënshkruajnë kontratën mbi shfrytëzimin me qira të lokaleve pronë komunale sipas ofertave të paraqitura nga ana e tyre.

Në këtë njoftim nuk ka asnjë sqarim kundërshtues për vendimin e Komisionit për Ankesa.

Një njoftim përafërsisht të njëjtë e nënshkruajnë edhe Osman Hajdari drejtor i Drejtorisë së Administratës dhe Feriha Paqarizi, Bashkëpunëtore Profesionale.

Veç me lokalin ku ka konkurruar personazhi i rrëfimit tonë buxheti i Komunës së Prizrenit dëmtohet me mbi 17 mijë euro.

Prizreni Sot, ka bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare dhe ka adresuar disa pyetje në adresë të drejtorisë të Administratës dhe është dita e tretë duke pritur përgjigje./prizrenisot.com/

Vijon…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *