Kadri Veseli në Prizren: PDK nuk është parti e fjalëve, por e vendimeve dhe veprimeve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e takimeve me strukturat e reja partiake anekënd Kosovës, ka thënë sot në Prizren se PDK-ja ka qenë dhe mbetet shtyllë e demokracisë dhe vetë shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, ka përgëzuar strukturat e reja “në bastionin e PDK-së në Prizren, për organizimin e një procesi zgjedhor shembullor, për veten dhe leksion demokratik për të tjerët”.

 “Prandaj, jam këtu sot t’ju shpreh falënderimin në emër të gjithë partisë sonë. Kemi përfunduar një proces të brendshëm zgjedhor, i cili ishte shembullor. Janë zgjedhur 37 kryetarë degësh, me pjesëmarrjen e mbi 50 mijë qytetarëve. Jam krenar me partinë tonë. Jam krenar me këtë proces. Jam krenar me njerëzit e shumë të rinj që na janë bashkuar. Treguam edhe një herë se PDK-ja është partia më e fuqishme në Kosovë. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet që u mbajtën tash në katër komunat veriore të Kosovës ku fituam 70 përqind të votave të shqiptarëve”, tha lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai shtoi se arsye për këtë është fakti që PDK nuk është parti e fjalëve, por vendimeve dhe veprimeve.

“Ndryshojmë veten çdo ditë dhe përmirësohemi. Nuk fyejmë, nuk urrejmë, por bashkëpunojmë për Kosovën. Promovojmë njerëz të rinj dhe premtues. Nga 37 degë, janë zgjedhur 20 kryetarë të rinj. 70% e këshillave drejtues të degëve të rinj. Ky është lajm i mire”, tha Veseli.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës tha se me këto zgjedhje të brendshme në PDK, ka filluar diçka e re në Kosovë. “Një vizion i ri me energji të reja ka marrë rrugë: Vizioni i Dekadës së Re të Partisë Demokratike të Kosovës. Bashkë me liderët e rinj të partisë sonë, do ta çojmë drejt një vizioni të ri partinë dhe shtetin tonë”, tha Veseli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *