Fatmir Kastrati: Kuvendi Komunal i Prizrenit ka degraduar nga çdo gjë që quhet normale

Kuvendari i AAK-së, Fatmir Kastrati në një postim në faqen e tij në FB thotë se Sot ne Kuvendin Komunal flitet, ndërhyhet pa rend, pengohen këshilltarët gjatë fjalës së tyre.  Kjo po ndodh pa dallim, nga pothuaj te gjithë këshilltarët, nga kryesuesi, e aq më keq edhe nga drejtorët e ekzekutivit!!! Duhet të reflektojmë, t’ja kthejmë Kuvendit Komunal rëndësinë dhe rolin qe e ka” shkruan ai ndërsa e shpreh qëndrimin se Kuvendi Komunal I Prizrenit ka degraduar nga çdo gjë që mund të quhet normale.

Postimi i plotë:

Kuvendi Komunal i Prizrenit është institucioni me i lartë vendimmarrës dhe substancialisht rregulluesi i jetës së qytetarëve. Fatkeqësisht rëndësia dhe nami i tij po zbehet.

Që nga viti 2007 jam votuar nga qytetaret të jem pjesë e Kuvendit Komunal. Qe 13 vite si Këshilltar Komunal, kam pasur rastin të bashkëpunoj me shumë veprimtar, anëtar të kuvendit, nga të gjitha partitë që e kanë pasur të qartë rolin e tyre.

Mirëpo, kjo përbërja e fundit ka degraduar nga çdo gjë që quhet normale. Ka kaluar limitet e asaj që quhet politikbërje. Këshilltarët e rinjë, si duket nuk po e kanë të qartë rolin e tyre në Kuvend, as teorikisht e lëre me në praktikë.

Partitë politike po i mbushin listat me njerez që nuk janë adekuat as për të qenë në listë e lëre më të jenë pjesë e Kuvendit, e kjo po ndikon që edhe zhgënjimi e mosbesimi qytetar të rritet.

Mungesë totale e respektit, si nga këshilltarët ndaj njeri tjetrit, por edhe ndaj institucionit e njerëzve që përfaqësojnë, pa e pasur të qartë rëndësinë e fjalës publike.

Edhe në oda të burrave ka pasur rend dhe respekt kur dikush e ka marrë fjalën. Sot ne Kuvendin Komunal flitet, ndërhyhet pa rend, pengohen këshilltarët gjatë fjalës së tyre.

Kjo po ndodh pa dallim, nga pothuaj te gjithë këshilltarët, nga kryesuesi, e aq më keq edhe nga drejtorët e ekzekutivit!!! Duhet të reflektojmë, t’ja kthejmë Kuvendit Komunal rëndësinë dhe rolin qe e ka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *