Doli nga shtypi pjesa e dytë e librit “JETA ËSHTË KTHYER, PASOJAT SHËROHEN NGADALË (2)” e autorit Murat Gashi

Pjesa e dytë e librit publicistik “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” e shkrimtarit, publicistit e gazetarit Murat Gashi, është një kronikë besnike e jetës në vitet e qëndresës së paraluftës dhe në vitet e para të pasluftës.

Shkruan: Rami Berisha

Ngjarjet ditore, aktivitetet në shumë fusha të jetës, janë dëshmi me të gjitha ngjyrat e realitetit okupues, në një anë dhe në anën tjetër po ashtu janë dëshmi e qëndresës, e rezistencës në fillimet e ndërtimit të shtetit paralel, jo vetëm në arsim dhe shëndetësi.

Në vëllimin e dytë të librit “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” në tre kapituj, pasqyrohet me përmasat reale okupimi, që para lexuesit shpaloset me e masat e egra e perfide të okupuesit serb, i cili synonte rrënimin e çdo gjëje shqiptare. Paralel me këto veprime okupuese serbe, përmes shkrimeve në vëllimin e dytë të librit “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” pasqyrohen aktivitetet në ndërtimin e jetës së pavarur të shqiptarëve duke filluar nga arsimi, shëndetësia e deri te kultura.

Për ata që i jetuan dhe përjetuan vitet e nëntëdhjeta dhe vitet e para të pasluftës, vëllimi i dytë i librit “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” vjen si një trazim kujtese i jetës aspak të lehtë në ato vite, ndërsa për gjeneratat e reja vjen si një kronologji besnike e ndodhive, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërtimin e Shtetit të Pavarur të Kosovës.

Shkrimet e librit “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” janë ngjarjet ditore, që të gjitha bashkë janë udha përplot vështirësi në përballje me okupatorin përmes organizimeve në arsim, shëndetësi, kulturë, ekonomi. Autori duke qenë edhe ekspert i bujqësisë dhe i angazhuar si profesionist në këtë fushë, e përshkruan në detaje rrënimin e qëllimshëm të këtij sektori të rëndësishëm, në tentimin okupues serb për ta lënë shqiptarin në Kosovë edhe pa bukë, përveç pa arsim, pa përkujdesje shëndetësore, pa sport etj.

Edhe në paralajmërimin për përgatitjen e pjesës teatrale “Me pasaportë te tezja”, koncerteve të muzikës serioze, konkursit për botimin e librave, dëshmohet qëndresa, vullneti dhe besimi deri në sakrificë për ndërtimin e të ardhmes së vendit.

Vëllimi i dytë i librit “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” është kronikë besnike e ngjarjeve, që gjeneratave të reja do t’u ndihmojnë ta kuptojnë më mirë se nga cilido libër tjetër jetën e dhjetëvjetëshit të qëndresës e të rezistencës paqësore kundër një okupuesi të egër. Në libër, nga tërësia e shkrimeve lexuesi do të mund ta kuptojë solidaritetin e madh të shqiptarëve, vullnetin për ndërtimin e jetës së pavarur dhe besimin në të ardhmen, për të cilën i gjithë populli u bë një dhe frymoi si një krijesë kompakte.

Autori vëllimin e dytë të librit “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” e ndan në tri pjesë. Në pjesën e parë i rendit shkrimet që janë dëshmi e masave të dhunshme serbe, që synojnë ta rrënojnë jetën në Kosovë; në pjesën e dytë, i paraqet shkrimet në të cilat pasqyrohet ndërtimi i jetës së shtetit paralel, ndërsa në pjesën e tretë i vendos shkrimet, të cilat i botoi në shtypin tonë pas çlirimit të vendit.
Shkrimet e vëllimit të dytë “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” janë të botuara kryesisht në gazetën “Bujku”, “Rilindja” dhe janë shkrime për ngjarje ditore, por për nga mënyra e shkrimit ngjajnë në kapituj të romanit të jetës sonë, për vitet kur janë shkruar.

Shkrimet e gazetarit Murat Gashi e shpalosin shkrimtarin e poetin Murat Gashi. Përshkrimet, dialogët brenda reportazheve, por edhe mënyra e prezantimit të një ngjarje që do të ndodh vijnë në mënyrë origjinale, shumë herë si prozë poetike.

Libri “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” është kronikë besnike e kohës, prandaj për lexuesit dhe për të ardhmen rëndësia e këtij libri është e pazëvendësueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *