Beni Kizolli drejtor i ri i Urbanizmit dhe Planifikimit hapësinor në Komunën e Prizrenit

Beni Kizolli është emëruar drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Ai përmes një njoftimi në Facebook, bënë të ditur se “detyra iu besua mbi të gjitha mbetet përgjegjësi dhe obligim, sidomos, duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e drejtorisë në fjalë”.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar miq,

Me ftesën e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Prof. Dr. Mytaher Haskuka, këto ditë e vizitova Shtëpinë e Bardhë. Në këtë takim mjaftë përmbajtësor diskutuam për gjendjen në Komunën tonë dhe për rrjedhojë, kryetari Haskuka më besojë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

Detyra që m’u besua mbi të gjitha mbetet përgjegjësi dhe obligim, sidomos, duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e drejtorisë në fjalë.

Duke u kthyer në histori na del në pah ‘Plani i gjendjes së Prizreni’t i cili u hartua në mars të vitit 1913, nga arkitekti ushtarak serb, togeri Momir Korunoviç. Ai së bashku me arkitektin Dushan S. Milosavleviç, kishin hartuar edhe ‘Planin Gjeneral’, i cili ishte zyrtarizuar më 1924, kinse për rregullimin dhe zgjerimin e rrugëve të qytetit të Prizrenit. Në fakt kjo ishte mënyrë për asgjësimin e tërsishëm të trashëgimisë sonë. Shprehja e njohur e tyre ishte “një e shkatërruam, e një e ndërtuam”, pra e shkatërruan Prizrenin dhe ndërtuam një qytet tjetër në Serbi. Në një libër tjetër ku flitet për arsyen, veçanërisht, të shkatërrimit të lagjes Arasta, thuhet se, mendësia fashiste në shenjë hakmarrje kishte shkatërruar konakët që patën nderuar si nikoqir delegatët e Lidhjes së Prizrenit.

Sot, neve, para se gjithash na mbetet që pa komplekse dhe pa inferioritet, e larg shprehive dhe mendimeve primitive e lokaliste, por me plotë përkushtim të përfshijmë çdo cep të Komunës pra çdo fshat e çdo lagje, në një kornizë.

Ka kohë që me miq, në platformat të ndryshme e ndaj mendimin për integrimin dhe zhvillimin e të gjitha vendbanimeve. Ëndërroj që një ditë një banor nga Krusha (pavarësisht kufizimeve administrative) të udhëtoj me një mjet të transportit publik (metrobus) deri në qendër të qytetit, e të freskohet në Parkun Qendror, pastaj të vazhdojë një udhëtim, po me një tjetër transport publik deri në Zhur (pse jo edhe në Vërmicë), rrugë e cila në heshtje na përkujton kryengritjen e lumjanëve në krye me Hasan Bej Prishtinën si dhe eksodin e luftës së fundit. Nga aty duke shijuar qetësinë dhe bukurinë e Drinit dhe të vazhdojë lundrimin deri në Vërmicë – Dobrushtë – Muradem – Kobaj – Nashec – Gjonaj dhe pse jo anasjelltas.
Jo vetëm kaq, me ndërtimin e rrugës, ëndërrojë edhe bashkimin e pasurisë natyrore/trashëgimore nga Shpellat e gurit në malet e larta të Kabashit deri te grykat e Reçanit, pra me rrugë të lidhen edhe trevat e Opojës dhe të jetë pikënisje e rrugës tjetër e cila ka qenë ëndërr e shumë brezave, Prizren-Tetovë, projekt i prezantuar në qeverinë e z. Kurti.
Qendra të konservohet, gjithnjë duke investuar në ruajtjen e frymës së saj dhe jo vetëm kaq, edhe në lagjet e reja të reflektohet ai shpirt në të cilën do të preferohet e bukura, e mira, e dobishmja.

Të mundësohet zhvillim urbanistik, duke synuar mundësinë e jetësimit të alternativave të ndryshme të transportit. Të rritet përkujdesja e shtrirjes së freskisë së maleve përreth duke mos toleruar ngufatjen dhe ndotjen e ajrit. Lumi të mos përfundoj te Ura e Xhevrijes. Le t’i zgjerojmë kufizimet e kohës së instaluar në kokat tona nga paaftësitë e menaxhimit të resurseve natyrore. Të vazhdohet ndërtimi i lagjeve pranë ujit e malit, të mos mjaftohemi me fotografinë e qendrës dhe kulturën zejtare, por atë atmosferë, ngrohtësi, kulturë dhe trashëgimi duke e shtrirë ta përjetojmë në vazhdimësi deri në brigjet e Drinit.

Sheshin e Sinan Pashës, ta zgjerojmë duke e ndërtuar sheshin e Lidhjes së Prizrenit dhe të Komandant Adem Jasharit, deri te përmendorja e Komandat Drinit.

Si të tillë, t’i nderojmë e t’i shërbejmë të gjithë qytetarët pa dallim. Të gjitha të arriturave përgjatë këtyre viteve tu shtojmë edhe diçka me vlerë, e pretendime shkatërruese t’i fundosim njëherë e përgjithmonë.

I kam parasysh, si kohën gjithashtu dhe mundësitë, krahas shërbimit të ndershëm e ligjor ndaj Komunës, qytetarit dhe investitorëve, vizionin e lartë-prezantuar do të diskutojmë në ambientet e Komunës, nëse jo diçka më shumë, në tavolinën e Drejtorisë do ta lë një plan-ideor të tillë.

Duke i respektuar ligjet, planet dhe rregulloret përkatëse, në përkushtim të plotësimit të premtimeve të Kryetarit Haskuka, e duke u mbështetur në përvojën e stafit të Drejtorisë, duke mos i marrë përgjegjësit paraprake, duke mos përvetësuar praktikat joligjore dhe duke i mbetur besnik vlerave të Komunës, do të punoj për ndërtimin e ekuilibrit, ku të tri palëve të interesit: pra, publikut, qytetarit, dhe investitorit do t’i sigurohet shërbimi dhe do t’i mundësohet zhvillimi pa e dëmtuar njëra-tjetrën.

Njëherazi e falenderojë kryetarin Haskuka për besimin e dhënë e paralelisht kësaj premtojë shërbim, transparencë, ndershmëri, komunikim dhe profesionalizëm.

I juaji, Dr. sc. Beni Kizolli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *